Aktualitet

Fushata e LSI në Durrës, Enon Karapici kafe me qytetarët për prezantimin e programit

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 21:36
Text size Aa Aa

Enon Karapici, konsulent financiar, gjithashtu nënkryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Durrës, është renditur i treti në listën e listën e LSI-së në këtë qark.

Karapici kandidon në zemër të qytetit, në rajonin numër 1.

 “Një ditë e zakonshme fushate fillon me takimet që organizojmë në mëngjes. Pandemia nuk na lejon të bëjmë takime me grupe të mëdha, kështu që punojmë me grupe të vogla, pra takime nëpër kafe në të cilat, fillimisht nuk e kemi të vështirë të organizojmë pasi njerëzit kanë interes dhe duan afrohen, se kanë shqetësimet e tyre që duan t`i shprehin. Jo vetëm kjo, por edhe me kandidatët dhe me programin tonë kemi ngjallur një interes në qytetin e Durrësit dhe ato duan të dinë diçka më shumë për programin tonë,” – u shpreh Karapici.

Euronews Albania ndoqi nga afër një nga takimet e përditshme të tij më qytetarë në një nga kafet e qytetit. Frika se do t'i humbasin fëmijët për shkak të emigracionit është shqetësimi më i madh i prindërve, një problem që vjen nga ekonomia e dobët familjare.

 “Kam tre fëmijë që po i afrohen stadit të studimeve të larta dhe që të tre mendjen e kanë që të studiojnë jashtë shtetit. Çfarë ofroni ju në programin tuaj që fëmijët e mi të rrinë këtu të punojnë këtu dhe të gjejnë veten e tyre këtu?” – pyeti një qytetare.

“Plani i parë sidomos për qytetin e Durrësit është tërheqja e kompanive të huaja ndërkombëtare të cilat do të krijojnë punë mirë të paguara dhe këta të rinj do punojnë për këto kompani të njohura ndërkombëtarisht,” – shpjegoi nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim.

Karapici theksoi se Durrësi është një qytet në rritje e me shqetësimet për pagat e ulëta dhe cilësinë e ulët të jetesës ka shumë qytetarë.

Ajo që bën përshtypje në këtë fushatë, është se njerëzit nuk janë më të impresionuar me programe investimesh të mëdha por kërkojnë ato që ia bëjnë jetën pak më të lehtë dhe që ndikojnë drejtpërdrejtë në të ardhmen e fëmijëve të tyre.

Tregime të lidhura