Bota

Samiti i liderëve të BE-së, pritet pjesëmarrja e Biden, shtetet të ndara për kufizimet

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 22:12
Text size Aa Aa

Liderët e BE-së do të takohen të enjten në një tjetër mbledhje virtuale. Bëhet fjalë për takimin e radhës, që këtë herë do ketë një fytyrë të re.

Presidenti amerikan Joe Biden do të lidhet në atë që liderët evropianë shpresojnë të jetë momenti i ringritjes së aleancës ndër-atlantike.

Janë vaksinat, kufizimet e eksportit dhe fushata e vaksinimit në tërësi çështjet që pritet të dominojnë diskutimet pasi Biden të shtypë butonin për t’u shkëputur.

Liderët do të debatojnë mbi propozimet e Komisionit për të kufizuar licencat për eksportin e vaksinave, sidomos për vendet që kanë një kuotë të ulët infektimesh dhe që nuk kanë furnizuar me doza BE-në.

Disa nga shtetet anëtare druhen se kufizimet e mëtejshme do të kenë më shumë efekte negative se pozitive.

“Ky është një propozim kontradiktor pikërisht sepse ka një numër vendesh anëtare që janë të shqetësuara se këto kufizime të reja mund të shkojnë në favor të vendeve të tjera në botë që mund të vendosin kufizime reciproke në këmbim. Është edhe një grup vendesh që dëshirojnë të hedhin këtë hap dhe mund të përfundojmë në një situatë ku masat të jenë në fuqi por vendet të zgjedhin të mos i implementojnë,” – tha Anthony Dworkin, zyrtar i Këshillit Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë.

Liderët evropianë po presin gjithashtu një përditësim mbi propozimet për një certifikatë udhëtimi, që mundëson hapjen e sezonit turistik.

Diskutimet do të fokusohen edhe tek hapat e mëtejshëm për t’u marrë në lidhje me Rusinë dhe masat kundër Turqisë, nga frika se vendi po minon demokracinë dhe të drejtat e njeriut.

Tregime të lidhura