Evropa

Epidemia e COVID në Evropë, Gjermania zgjat kufizimet, BE apel Spanjës për udhëtimet

Përditësimi i fundit: 23/03/2021 - 07:18
Text size Aa Aa

Gjermania do të zgjasë kufizimet në jetën publike dhe aktivitetet ekonomike deri më 18 prill.

Kjo, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur mes kancelares Angela Merkel dhe liderëve të 16 landeve në një takim virtual.

Në nivel kombëtar, kuota e infeksioneve është rritur mbi 100 persona për 100 mijë banorë.

Ndërkohë, rreth 100 përfaqësues të agjencive të udhëtimit dhe zinxhirëve të hoteleve kërkuan më fleksibilitet për kufizimet e lëvizjes në një protestë të mbajtur në Berlin.

Fluksi masiv i turistëve gjermanë në ishujt spanjollë, të klasifikuara si zona të sigurta nga COVID, ka shkaktuar kontradikta.

Komisioni Evropian i ka kërkuar Spanjës që t’u përmbahet kufizimeve, teksa rajonet vijojnë të mbajnë perimetrin përkatës të mbyllur ndërsa udhëtimi drejt dhe nga vendet e tjera të BE-së lejohet.

Ndërkohë, në Austri plani për zbutjen e masave të izolimit nga e shtuna nuk do të hyjë në fuqi.

Bllokada ekzistuese do të qëndrojë në fuqi në mbarë vendin deri pas ditës së Pashkës.

Sidoqoftë, nga prilli e më tej, Austria do të ndërmarrë një seri qasjesh rajonale, që u lejon disa rajoneve me kuota të ulëta infektimi të hapen.

“Në prill, maj dhe qershor ne nuk do të fokusohemi vetëm tek numri i infektimeve, por edhe tek progresi i procesit të vaksinimit për qytetarët mbi 50 vjeç. Dhe, natyrisht, mbi situatën në repartet e terapisë intensive”, u shopreh Sebastian Kurz, kancelar i Austrisë. 

Në Bosnjë, masat e reja kundër pandemisë kanë shkaktuar protesta.

Me thirrjen “poshtë masat”, protestuesit u mblodhën në qytetin verior Banja Llukë, duke kërkuar që shteti të ndihmojë pronarët e bareve, restoranteve dhe subjekteve të prekura nga epidemia.

Bosnja, që duhet ende të nisë vaksinimin e qytetarëve, është përballur me një rritje të infeksioneve dhe vdekjeve në 2 javët e fundit, që i ka lënë spitalet pa shtretër.

Tregime të lidhura