Evropa

Merkel kërkon falje dhe tërhiqet nga vendimi për izolim 5 ditor gjatë Pashkëve

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 13:53
Text size Aa Aa

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar falje dhe është shprehur se është një gabim vendimi për një mbyllje pesë-ditore në Gjermani gjatë Pashkëve.

Kancelarja e Gjermanisë hoqi dorë nga propozimi, i cili kishte provokuar kritika dhe konfuzion.

 "Vendosa të jap këtë konferencë të minutës së fundit sepse vendosa të mos vijoj përpara me rregulloret e nevojshme për të lejuar ditët shtesë të pushimeve të enjten dhe të shtunën e Pashkëve. Unë kam vendosur të tërhiqem nga ky vendim. Dhe është e rëndësishme të thuhet: një gabim duhet të quhet një gabim, dhe mbi të gjitha duhet të korrigjohet sa më shpejt të jetë e mundur. Në të njëjtën kohë unë jam e vetëdijshëm se e gjitha kjo ka krijuar edhe më shumë pasiguri dhe unë pendohem thellësisht dhe kërkoj falje”, u shpreh Merkel. 

Në fjalimin e saj Merkel shpjegoi edhe arsyet e këtij vendimi. 

"Për të qenë absolutisht e qartë, ideja e një mbylljeje të Pashkëve u krijua me qëllimet më të mira pasi ne absolutisht kemi nevojë për të ndaluar këtë valë të tretë të pandemisë. Sidoqoftë, ideja e një mbylljeje më të rreptë gjatë Pashkëve ishte një gabim, kishte arsye të mira, por nuk ishte e mundur për një kohë kaq të shkurtër. Kishte shumë pyetje në lidhje me pagesat e pagave, orët e humbura të punës, situatën e dyqaneve dhe bizneseve dhe u bë e qartë se në këtë kohë të shkurtër pyetjet nuk mund të zgjidheshin siç duhet. Dhe për të folur përsëri në mënyrë të qartë: Ky gabim është i imi dhe vetëm i imi. Në fund të ditës, unë mbaj përgjegjësinë përfundimtare për gjithçka që i takon  kësaj zyre", tha ajo më tej. 

Plani i qeverisë gjermane ishte që të bënte të enjten e javës së ardhshme, një ditë para të premtes së madhe, “një ditë pushimi", me të gjitha dyqanet e mbyllura, dhe të lejonte që vetëm supermarketet të hapen të shtunën e Pashkëve.

Meqenëse e premtja dhe e hëna janë tashmë pushime, kjo do të kishte krijuar një mbyllje pesë-ditore të jetës publike, mbi kufizimet ekzistuese të bllokimit, të cilat u zgjatën deri më 18 prill.

Lexoni gjithashtu:

Gjermania zgjat kufizimet, OBSH kritika të pasurve për shpërndarjen e vaksinave

Pashkë në izolim, bizneset evropiane në panik nga humbjet dhe falimentimi

Tregime të lidhura