Kosovë

Albin Kurti kryeministër me ceremoni, Haxhiu: LDK tregoi kulturë politike. Bushati: Hoti, vegël e grushtit të shtetit

Përditësimi i fundit: 23/03/2021 - 21:01
Text size Aa Aa

Analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu në emisionin “Shock” në Euronews, debatuan në lidhje me ceremoninë e emërimit të Albin Kurtit si Kryeministër i Kosovës.

Baton Haxhiu u shpreh se Albin Kurti duhet të ndihet i turpëruar për shkak se kur i dorëzoi Kryeministrinë Avdullah Hotit, e bëri pa ceremoni dhe pa i lënë dosje nga puna e tij 60-ditore në qeverinë e Kosovës. Për Haxhiun, Kurti nuk ndjen turp pasi synon pushtetin me çdo kusht.

“Po të isha në lëkurën e Kurtit do të isha skuqur. Albin Kurti e ka hequr lëkurën e turpit pasi nuk ka ndjenjë se njerëzit që duan pushtet me çdo kusht, nuk e kanë ndjenjën e turpit. Hoti shkoi në zyrë i vetëm, nuk mori asgjë nga ato 60 ditët e punës së z. Kurti, nuk mori asnjë ministër nga ata të qeverisë Kurti. Nuk i lanë asnjë letër, së paku lihet dosja. Kjo tregon për një kulturë politike që LDK e ka pasur por e ka thyer Albin Kurti”, u shpreh Baton Haxhiu.

Analisti Bushati, nga ana tjetër tha se turpi i takon Avdullah Hotit dhe jo Kurtit, pasi sipas tij, Hoti hyri në Kryeministri si një vegël e grushtit të shtetit, ndërsa Albin Kurti ishte i votuari nga populli. Sjelljen e Albin Kurtit kur dorëzoi qeverinë, Bushati e cilëson si normale, pasi nuk mund t’i mirëpriste për t’u lënë pushtetin atyre që kundërshtuan vullnetin e popullit.

"Batoni i vendos Hotin dhe Kurtin në pozita të barabarta dhe thotë në pozita të barabarta ata u sollën në mënyra të ndryshme. Hoti qe një vegël, Albin Kurti po futet në Kryeministri si njeri i votuar nga populli. Turpi nuk është te mos organizimi i ceremonisë së kalimit të pushteteve. Turpi i Avdullah Hotit është se nuk duhet të kishte hyrë kurrë në atë zyrë që hyri si një vegël e grushtit të shtetit. Nuk mund të presësh nga Albin Kurti, i mandatuar me mandatin e një vote popullore, që e rrëzoi në mënyrë të paligjshme të thotë: unë po ju mirëpres që t’ju lë pushtetin”, u shpreh Bushati.

Tregime të lidhura