Kosovë

Kandidatura e Osmanit për presidente, opinionistja Maliqi: Nëse LDK nuk e voton Osmanin, vendi shkon sërish në zgjedhje

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 14:51
Text size Aa Aa

Opinionistja Aferdita Maliqi në një lidhje direkte për Euronews Albania komentoi mbi rezultatet e pritshme nga takimi i sotëm midis Vjosa Osmanit dhe kreut të ri të LDK-së, Lumir Abdixhiku. E pyetur se si do të pritet kandidatura e znj. Osmani për presidente, Maliqi u shpreh se Vjosa Osmani ka mbështetjen e partisë fituese dhe minoriteteve por nuk dihet nëse mund të marrë vota nga partitë e tjera.

“Kemi një kandidate të vetme për presidente e cila ka mbështetjen e partisë në pushtet dhe të minoriteteve por ende nuk dihet a do të arrijë të marrë vota nga partitë shqiptare për shumë arsye dhe për raportet që ka krijuar në të kaluarën e saj politike”, u shpreh opinionistja.

Maliqi theksoi se PDK-ja është kundër Osmanit si presidente, ndërsa vendimi i LDK-së pritet të merret pas takimit të kreut të saj me Osmanin. LDK e ka krijuar Osmanin si politikane, tha Maliqi dhe pritet të qartësohet nëse vendimi i partisë do të jetë pro apo kundër.

“Ajo ka pasur një raport jo të mirë me partinë demokratike dhe është një nga politikanet që është ngritur në bazë të kritikave dhe akuzave që ka bërë kundër PDK-së dhe kreut të PDK-së që tani është në Hagë. Në këtë moment nuk e ka mundësinë për të pasur votën  e 19 deputetëve të PDK-së e cila zyrtarisht ka deklaruar se nuk do të votojë për presidente Osmanin. Një pozicion qartësues e ka LDK që e ka krijuar Vjosën si politikane. Kemi zëra të ndryshëm, pro dhe kundër. Pas takimit me Abdixhiku - Osmani, LDK do të dalë me një vendim të qartë, sigurisht edhe pas miratimit në kryesinë e vet”, tha Maliqi.

Aferdita Maliqi theksoi se nëse LDK nuk e voton Osmanin, vendi mund të shkojë sërish në zgjedhje, ndërsa nuk la pa përmendur se znj. Osmani e ka dëmtuar LDK-në si parti, duke i marrë një pjesë të madhe të votave në zgjedhjet e fundit.  

“Nëse nuk e voton Vjosën, vendi rrezikon të shkojë sërish në zgjedhje të jashtëzakonshme. Vjosa e ka dëmtuar LDK-në, i ka marrë diku tek 100 mijë vota dhe është një nga shkaktarët se pse LKD-ja është në 13% në zgjedhjet që përfunduan”, u shpreh Aferdita Maliqi.

Tregime të lidhura