Me pak fjalë

Redon Meksi: Kandidatët e rinj në lista si makiazh i kryetarëve

Përditësimi i fundit: 15/03/2021 - 22:56
Text size Aa Aa

Kandidatët e rinj në listat e partive  politike janë makiazh i kryetarëve të partive për të treguar se po sjellin të renë duke i zgjedhur ata arbitrarisht.

Kështu u shpreh në emisionin “Me Pak Fjalë”, Redon Meksi, avokat dhe aktivist shoqëror.

I pyetur mbi praninë e lartë të kandidatëve të rinj në vendet e sigurta të listave të partive kryesore, Meksi tha se kjo do të ishte gjë pozitive nëse ata do të ishin zgjedhur nga anëtarësia në këto vende.

“Problemi është që kur këta i zgjedhin kryetarët këta janë makiazh për kryetarët”, deklaroi ai.

Rreth 65% e vendeve të sigurta në listat e PD, PS dhe LSI janë kandidatë që nuk kanë qenë deputetë pas 2017 ose nuk kanë eksperiencë politike.

Ky numër i madh ndryshimesh sipas Meksit vjen si pasojë e fuqisë së lartë të vendimmarrjes së kryetarëve.

Sipas tij, ata kanë shkelur statutet duke mos zgjedhur kandidatët nga anëtarësia në një proces transparent.

Ai shtoi se “edhe partitë e reja priteshin të bënin ndryshim pasi kërkuan edhe listat e hapura, brenda tyre i vendosën kandidatët pa transparencë”.

Një nga arsyet për këtë sipas tij është se ato “nuk janë krijuar parti si frymë por parti nga individë dhe janë kthyer në parti personale”.