Me pak fjalë

Mesazhet elektorale të PS dhe PD në fushatën e 2021

Përditësimi i fundit: 16/03/2021 - 22:51
Text size Aa Aa

Ndonëse nuk ka filluar zyrtarisht, fushata zgjedhore midis partive kryesore ka filluar duke përdorur strategji të ndryshme por një qëllim, bindjen e sa më shumë qytetarëve për t’i votuar.

Emisioni “Me Pak  Fjalë” shpjegoi mesazhet elektorale kryesore të Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike.

Mesazhi politik gjatë fushatës nuk duhet të marrë parasysh thjesht çfarë mendon ti, por dhe çfarë mendon kundërshtari.

Ai duhet të jetë i besueshëm, të ofrojë zgjidhje për problemet dhe të bëjë kontrast me kundërshtarin.

Fushata e tanishme nuk është përjashtim. Nga analiza e diskutimit publik ne mund të arrijmë në këto konkluzione:

Basha krijon për veten imazhin si një udhëheqës normal, që punon për njerëzit. Familjar model dhe evropian.

Për këto ai i mëshon shpesh fjalës ‘normale’ në komunikimin politik si dhe fjalës ‘angazhim’ që ka zëvendësuar fjalën premtim. Këto shoqërohen edhe me postimin në rrjete sociale të fotove që e tregojnë familjar dhe qytetar model.

Sa i përket kundërshtarit politik, Basha e sheh Ramën si dështak që nuk mban fjalën, punon për vete dhe oligarkët, i lidhur me krimin, arrogant dhe bullizues.

Këtë ai e shpreh duke e portretizuar atë si njeri që nuk ka mbajtur asnjë premtim, duke thënë ato që nuk i ka bërë në dy mandate nuk do t’i beje në një të tretë.

Rama nga ana e tij kërkon të japë për veten imazhin e njeriut të orës së vështirë dhe i punëve të mëdha. Ai që mban fjalën dhe çon gjërat deri në fund. Sipas tij ai nuk është perfekt por është më i miri për të qeverisur dhe gjithashtu e sheh veten si intelektual, njeri i penës dhe i artit.

Këtë ai e mbështet duke shfaqur sa më shumë imazhe të rindërtimit, përballimit të pandemisë përmes vaksinimit dhe premtimin për projekte madhore në të ardhmen si porte dhe aeroporte. Rama justifikohet se ndodhën dy fatkeqësi natyrore që i ndërprenë  punët në mandatin e dytë dhe për këtë atij i duhet mandati i tretë që t’i çojë ato në fund.

Kundërshtarin, Rama e sheh si kukull të Berishës dhe Metës, “çun i mirë”, por që nuk bën për punë, dembel/gjumash.

Ai e shpreh këtë duke përsëritur vazhdimisht se Basha nuk drejton opozitën por janë Berisha dhe Meta. Rama ka sulmuar gjithashtu disa nga figurat kryesore të opozitës duke i tallur disa herë edhe me pamjen e tyre ose se çfarë ata thonë. Në të njëjtën kohë ai thotë se këta individë nuk mund të përfaqësojnë ndryshimin.

Në fund mesazhi duhet të ofrojë kontrast dhe kjo përmbledh sa u tha më sipër.

Mesazhi i PD, Basha me sloganin “Shqipëria Fiton” është kontrast me Ramën që punoi vetëm për vete dhe një tufë oligarkësh.

Mesazhi i PS me sloganin “S’ka kohë për të humbur” është në kontrast me Bashën e perceptuar si nuk punon dhe humbet kohë.