Me pak fjalë

Situata e imigrimit të paligjshëm, Shqipëria me 5 qendra shtetërore për strehim

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 22:45
Text size Aa Aa

Që nga vitit 2018 Shqipëria është bërë një nga korridoret kryesore të imigrimit të paligjshëm të qytetarëve afrikanë dhe aziatikë drejt BE-së.

Në emisionin “Me Pak Fjalë” u soll një panoramë të imigrimit të paligjshëm në Shqipëri.

Nga viti 2009 deri në vitin 2017, numri i imigrantëve të paligjshëm në Shqipëri që janë kapur nga policia ka qenë nga 1-3 mijë. Pas vitit 2017 pati një rritje shumë të lartë dhe aktualisht numri i imigrantëve të paligjshëm është 18835.

Sipas të dhënave të vitit 2019, rreth 30% e këtyre imigrantëve vijnë nga Iraku, 28% nga Siria, 14% nga Maroku dhe 9% nga Algjeria, ndërsa pjesa tjetër nga vende të Lindjes së Mesme dhe Afrikës së Veriut.

Në Shqipëri ka më shumë imigrantë të paligjshëm se sa të rregullt. Të huajt e parregullt zënë 57% të totalit të imigrantëve në 2019.

Imigrantët e përdorin Shqipërinë kryesisht si vend tranzit prej ku ata do të kalojnë për të udhëtuar drejt vendeve të Bashkimit Europian.

Të gjithë shtetasit e huaj migrantë të parregullt, pasi kapen nga policia, identifikohen dhe kategorizohen:

  • Azilkërkues - ata mbahen në qendrën e azilkërkuesve deri në shqyrtimin dhe miratimin ose refuzimin e kërkesës për azil;
  • Viktimë trafikimi apo viktimë e mundshme trafikimi – i kalojnë strukturave të policisë të cilat kanë qendrat e viktimave të trafikut, përfshi Qendrën Kombëtarë të Viktimave të Trafikut.
  • Imigrant i parregullt - mbahet në qendër të mbyllur dhe deri sa largohet ose dëbohet nga territori i Shqipërisë.
  • I mitur i pashoqëruar – strehohen ne qendra sociale dhe duhet të riatdhesohet.

Në vitin 2019 ka pasur të paktën 6600 persona azil-kërkues në Shqipëri, mes të cilëve ka pasur 765 familje.

Nga viti 2015 deri në vitin 2017 ka pasur 665 kërkesa për azil dhe janë miratuar 71 prej tyre.

Nga viti 2018 deri në vitin 2020 kërkesat për azil janë rritur në 13222 prej të cilave janë pranuar vetëm 44.

Aktualisht në Shqipëri janë ndërtuar 5 qendra shtetërore për strehimin e imigrantëve.

Një pjesë e tyre largohen nga këto qendra për të provuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Këtë ata e bëjnë përmes rrjeteve të trafikantëve të cilët u sigurojnë transportin në pika të caktuara. Këto rrjete lindën si pasojë e rritjes së numrit të imigrantëve që kërkojnë të arrijnë në vendet e BE, gjatë 4 viteve të fundit.

Pjesë e këtyre rrjeteve është tashmë edhe Shqipëria ku persona të caktuar ndihmojnë në mënyrë të paligjshme transportin e imigrantëve fillimisht drejt Tiranës dhe më pas në Kosovë ose Mal të Zi.