Rajoni

Serbia thirrje biznesmenëve nga rajoni, përfshirë Shqipërinë dhe Kosovën, të shkojnë të vaksinohen në Beograd

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 14:49
Text size Aa Aa

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Serbi, CCIS, njoftoi sot se do ta zgjerojë fushatën e vaksinimit për biznesin edhe tek vendet fqinje përtej vaksinimit të brendshëm.

Përmes një postimi në Twitter dhe faqen e saj zyrtare të internetit, CCIS sqaron se janë 10 mijë vaksina në dispozicion të biznesmenëve nga Shqipëria, Kosova, Bosnja-Hercegovina, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut.

Presidenti i Dhomës Serbe të Tregtisë dhe Industrisë, Marko Cadez, tha se vaksinimi i biznesmenëve të rajonit do të organizohet javën e ardhshme në Beograd, për ata që dëshirojnë të mbrohen nga COVID-19.

“Jemi një rajon, ekonomitë tona janë ngushtësisht të lidhura dhe vetëm bashkë mund të fitojmë kundër kësaj sëmundje. ÇIS ka organizuar vaksinimin e një numri të madh biznesmenësh dhe punonjësish vendas dhe tani duam të ndihmojmë fqinjët të kenë sukses në ruajtjen e ekonomive të tyre, sepse vetëm kështu i gjithë rajoni mund të ecë para,” tha Cadez, që është gjithashtu kryetar i bordit menaxherial të Forumit të Dhomës së Investimit për Ballkanin Perëndimor. 

Procedura është e thjeshtë sipas CCIS.

“Kompanitë nga rajoni mjafton të kontaktojnë Dhomat e tyre të Tregtisë dhe Industrisë, që do të organizojnë vaksinimin në Beograd në koordinim me Dhomën e Tregtisë dhe Ekonomisë në Serbi,” tha Cadez.

Euronews Albania po interesohet më shumë për të mësuar se me çfarë lloji të vaksinës ofrohet ky vaksinim dhe nëse është falas apo kundrejt pagesës.