Shock

Dialogu jo prioritet për Kurtin, Bushati: Në proporcion të duhur, Haxhiu: Rrezik izolimi

Përditësimi i fundit: 15/02/2021 - 20:17
Text size Aa Aa

Analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu ndanë në emisionin “Shock” në Euronews Albania mendimet e tyre për sa i përket qëndrimit të Albin Kurtit se ai nuk do ta ketë prioritet kryesor dialogun me Serbinë.

Bushati tha se Kurti nuk është votuar për qasjen e tij rreth dialogut, por për qëndrimet që ai ka për korrupsionin dhe mënyrën e qeverisjes. Sipas tij “nëse ka mirë-qeverisje ka më pas edhe qëndrim të denjë në dialog”. Bushati tha se dialogu duhet vendosur në “proporcionin e duhur”.

Krejt ndryshe Haxhiu tha se dialogu duhet konsideruar kryesor, pasi sipas tij “dialogu është peng i situatës së Kosovës”. Ai argumentoi se Kosova është vend i izoluar, pa njohje të reja, pa anëtarësim në organizata ndërkombëtare dhe tashmë edhe me marrëdhënie në diskutim me Turqinë.

“Do ta shohim nëse do zhgënjeheni [...] nuk ka asgjë më të rëndësishme se sa heqja e pengut të dialogut që Kosova e ka mbi veten,” – tha Haxhiu teksa shtoi se nga Kurti nuk ka asnjë përgjigje se çfarë do të bëhet me veriun e Kosovës.

Bushati pranoi se nën qeverinë e Kurtit arritja e marrëveshjes me Serbinë është e largët. Në këtë pikë replikoi me Haxhiun rreth parimit të reciprocitetit që vendosi gjatë qeverisjes së parë.

Tregime të lidhura