Shock

Vaksinat lindore, Bushati: Refuzimi tre muaj më parë, kapriço e Ramës që kushtoi jetë njerëzish

Përditësimi i fundit: 24/03/2021 - 20:21
Text size Aa Aa

Vaksina ruse dhe kineze do të fillojnë të aplikohen në Shqipëri edhe pse nuk janë certifikuar ende nga agjencia evropiane e barnave. Dy muaj më para, Kryeministri, Edi Rama ofertën për vaksinën ruse e ka cilësuar si provokim. Të pyetur në emisionin "Shock" se pse u dorëzua Rama dhe pranoi të merrte vaksinat lindore, analistët Andi Bushati dhe Baton Haxhiu kanë shfaqur pikëpamje të kundërta.

Sipas z. Bushati ardhja e vaksinave lindore është lajm i mirë, mirëpo po të ishin pranuar nga Rama që përpara tre muajsh do të kishin shpëtuar shumë jetë të humbura nga COVID-19. Ai tha se Rama vendosi pikëpamjet politike përpara atyre shëndetësore, duke e cilësuar si mëkat dhe kapriço politike mos marrjen e vaksinave jo perëndimore tre muaj më parë.

“Është për t’u përdorur shprehja: më mire vonë se sa kurrë. Jemi vonë, por më mirë tani. Vaksinat ruse ose kineze janë një realitet. Pse është mire kjo që po bën Rama sot dhe ç’kosto ka? Ka koston e tre muajve me jetë të humbura, kur Rama vendosi nga pikëpamja politike dhe jo shëndetësore të refuzoje vaksinat jo perëndimore. Sa nga këto vaksina mund t’i kishim shndërruar në jetë të shpëtuara. Kapriço politike e qeverisë kthehet në një mëkat shëndetësor”, u shpreh z. Bushati.

Z. Haxhiu, nga ana tjetër tha se nëse Rama do të kishte vendosur të merrte vaksinat lindore tre muaj më parë, opinioni publik dhe gjykimi i BE do të kishte bërë që këto vaksina të mos aplikoheshin as sot. Sipas Haxhiut, është aftësi e Ramës që sot vaksina ruse dhe kineze nuk cilësohen si "lajm i keq".

“Kur e gjithë BE me vaksinë të verifikuar, nga institucion të rëndësishëm e refuzon Astrazeneca, një vend i vogël po të merrte vendim të përdorte Sputnik dhe vaksinën kineze do të gjykohej nga BE dhe kritikuesit brenda Shqipërisë. Kauza do ta bënte vaksinën të papërdorshme edhe sot nuk do të kishim vaksinë ruse dhe kineze. Rama e ka sjellë Shqipërinë në një situate ku edhe Sputniku edhe vaksina kineze të mos jenë lajm i keq”, tha Baton Haxhiu.

Tregime të lidhura